NJË FLLUSKË JASHTË KOHE
Botimi i Parë – Janar 2013
Ky libër është një vepër e fantazisë. Personazhet dhe ngjarjet janë sajesa të autorit ose që kanë për qëllim të japin vërtetësi ndaj tregimit. Çdo analogji me faktet, ngjarjet, vendet dhe njerëzit, të gjallë ose të vdekur, është absolutisht e rastësishme.
© Copyright 2013 – Andrea Calò
Përkthimi i Laureta Berberi
Andrea Calò
NJË FLLUSKË JASHTË
KOHE
۩
Roman
.
Përkthimi i Laureta Berberi
FALËNDERIME
Të shkruash një libër është sikur të nisesh në një udhëtim. Përgatiten valixhet, nisesh nga një pikë e caktuar dhe vazhdon duke u përpjekur të arrish pikën e mbërritjes, destinacionin e dëshiruar. Por, siç ndodh ndonjëherë gjatë një udhëtimi, grackat, gabimet, frikërat dhe të papriturat janë aty gati të na befasojnë, të na ndalojnë, ndonjëherë deri në atë pikë sa të na bëjnë të heqim dorë nga vazhdimi. Me ndihmën e njerëzve që na gjenden pranë ose të atyre që takojmë përgjatë rrugës, arrihet gjithsesi t’ia dalësh mbanë, ndonjëherë me lehtësi, herë të tjera me shumë mundim; por nuk mund të shkelësh kurrë mbi gabime, për të mos humbur investimin e bërë. Gjatë këtij udhëtimi kam patur disa njerëz afër meje, të gjithë më kanë nxitur dhe inkurajuar të vazhdoja rrugën, të realizoja atë ëndërr që prej shumë vitesh mbaja të mbyllur në një sirtar, duke më lejuar t’i hapesha plotësisht asaj, projektin tim.
Faleminderit gruas time Sonias, që më shumë se gjithkush ka besuar tek unë, gjithmonë, për leximin e duruar të bocave bërë që në fazat e hershme të përgatitjes së këtij teksti dhe për diskutimet frytdhënëse që kanë çuar në krijimin e fabulës së këtij romani.
Faleminderit prindërve të mi, që më kanë dhuruar jetën, më kanë rritur dhe shkolluar, duke lejuar që gjithë kjo të transformohej në realitet.
Dhe në fund, por jo e fundit, faleminderit ty Elena, që ke udhëzuar zemrën time dhe udhëhequr mendjen time gjatë gjithë këtij udhëtimi: këtu brenda ka vërtet një pjesë të madhe nga ty.
KAPITULLI 1
Mendoj që një histori si kjo e imja nuk është treguar kurrë. Ndoshta nga frika e gjykimit nga të tjerët, ose ndoshta nga ajo vello e hollë çmendurie që e shoqëron.
Quhem Katherine ose më shkurt Kate, më thonë që kam lindur tridhjetë e gjashtë vite më parë në New York, ku dhe akoma jetoj, me baba italian dhe nënë angleze. Pra gjaku im nuk është amerikan. Data e ditëlindjes sime është shtypur në pasaportë, pranë fotos sime dhe gdhendur me bojë mbi fotografitë e zverdhura nga koha që nëna ime bëri kur isha e vogël. Por, unë jam e bindur që kam jetuar më shumë, shumë më tepër. Ndoshta dyfishin e viteve të mia, nëse marr parasysh edhe ato që unë mendoj të jetuara nga gruaja që isha në jetën time të shkuar. I ruaj të qarta kujtimet, të radhitura me kthjelltësi në mendjen time sikur të flitej për jetën time të tanishme, iu kthehem atyre kur kam dëshirë ose ndiej nevojën ta bëj. Do të mendoni që unë jam një e çmendur e shkretë në një krizë identiteti dhe ndoshta keni të drejtë.
Kështu mendonte edhe nëna ime, kur që e vogël i tregoja historitë e miqve të mi të mëdhenj me të cilët flisja dhe ndaja eksperienca dhe ndjenja që mund të jenë pjesë vetëm e jetës së një gruaje, jo të një fëmije. Flisja për njerëz që ajo thoshte se ekzistonin